Konfirmohet rikthimi i Agron Llakajt: Çfarë roli do të ketë ai në Portokalli?

TvShow

Pas raportimeve të hershme nga “Logimagazine”, tashmë është bërë zyrtare se Agron Llakaj po rikthehet në shtëpinë e tij televizive. Pasi janë mbushur 16 vite nga largimi i tij, moderatori dhe aktori i njohur vjen sërish në ekranin që ka shënuar një etapë tejet domethënëse të rrugëtimit të tij profesional.

Llakaj do të jetë në krye të “Portokalli”, emisioni i humorit që e bëri atë një figurë emblematike që nga fillimet e tij. Përtej detyrës së drejtimit, ai do të jetë pjesë direkte e skeçeve, duke iu kthyer edhe aktrimit në skenë.

“Është si rikthimi i Odisesë, por unë nuk jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj”, deklaroi ai me nota humori, ndërsa vlerësoi lart mbështetjen e dhënë nga Lori Hoxha dhe institucioni i Top Channel për këtë sezon televiziv.

Sipas artistit, qëllimi nuk është të ndërtohet “Portokalli” nga fillimi, por të ndërthuret përvoja e tij me potencialin e grupit aktual të aktorëve dhe skenaristëve, duke ruajtur fokusin te satira sociale.

Për të gjithë ndjekësit, formati i ri do të sjellë mbrëmje live çdo të premte, ndërsa dita e transmetimit televiziv do të jetë e diela, teksa periudha nga 2 deri në 16 shtator është planifikuar për selektimin e talenteve të reja në fushën e imitimit, skenarit dhe aktrimit.

Publiku do të mund të ndjekë premierën live në datën 2 tetor, ndërsa rikthimi i “Portokalli” në ekranin e Top Channel është planifikuar për 4 tetor.

Kjo lëvizje shënon rikthimin e Agron Llakajt në programin ku për një kohë të gjatë ishte protagonist, duke kombinuar edhe një herë rolin e moderimit me atë të aktorit pas një shkëputjeje të gjatë 16-vjeçare.

Lajmet e fundit